@InkuizitoriMoth shkruajti:
Komunizmi është kaq thellësisht një fe - tokësore - sa që nuk di që është një fe
Jacques Maritain, Humanizmi integral.Vetëparaqitja e marksizmit si teori shkencore me ligje dhe rezultate evidentë dhe si përsiatje logjike filozofike, është njëra anë e medaljes, çfarë njeh mirë brezi që e përjetoi realisht, në banga e shkollës dhe në “forma studimi” në ndërmarrje. Tjetra anë e medaljes, më pak e njohur në përgjithsi, dhe më e njohur nga brezi zhizhekian i sotëm, është marksizmi mesianik, me të cilin do të merret ky shkrim.
Në shkollat e ish Lindjes dhe propaganda zyrtare paraqitej tejkalimi i kapitalizmit dhe ardhja fitimtare e komunizmit si nevojë e historisë, ndodhi fatale për shkak të progresit gradual të shoqërisë. Zhvillimi i forcave produktive shiheshin si garant i kalimit të shoqërisë nga borgjeze në socialiste në mënyrë fatale si ligj determinist i historisë; gati besohej se kjo mund të realizohej vetiu duke ndenjur duarkryq. Pra ishte besim absolut tek progresi, që në fakt ishte besim i trashëguar prej Iluminizmit.
Rreth viteve 20-të të shek. të kaluar del në pah një marksizëm i kundërt me të sapo përshkruarin, që përmban në vete kritikën e Romanticizmit kunder Iluminizmit, i akuzuar ky i fundit si përgjegjës për krijimin e një bote industriale e konsideruar si e ftohtë, shkretane dhe nënshtruar mbretërimit të sasisë. Në vazhdimsi progresi si proçes linear, i vazhdueshëm dhe infinit konsiderohej si iluzion borgjez dhe liberal. Pra nuk ekziston çlirim dhe emancipim gradual që shkon krahas me zhvilimin progresiv të shoqërisë, përkundrazi progresi vetëm robëron më tepër proletariatin duke fuqizuar padronët. Çlirimi dhe revolucioni i vërtetë do të ndodhte përkundrazi, si ndërprerje e kësaj kohe lineare homogjene si ndërhyrje mesianike brutale e flakës së aksionit revolucionar. Sipas këtij marksizmi koha lineare është një iluzion i rremë, sepse koha historike në të vërtetë zhvillohet me hope, me ndërprerje. Koha mesianike është një kohë eksplozive e katastrofës që paralajmëron një shëlbim çlirues nëpërmjet ndërhyrjes brutale në rrjedhën e ngjarjeve, shkallmimit të continuum-it të gjithë historive. Revolucioni nuk është kurorzimi i evolucionit historik - i progresit me një fjalë - por ndërprerjes radikale të vazhdimsisë historike të dominimit dhe shfrytzimit.
Ky quhej marksizëm mesianik eskatologjik, dhe jo rastësisht protagonistët kryesorë ishin hebrej si dikur profetët që kumtonin Fundin e Koheve: më kryesorët Walter Benjamin dhe Ernst Bloch (kryesisht idetë e të cilëve po paraqes këtu), dhe më pas varg: Gershom Scholem, Karl Löwith, Hans Jonas, Georg Lukács (në rini), Gustav Landauer, Franz Rosenzweig etj. (Në këtë thes futet edhe hebreu komunist mesianik eskatologjik [Daniel Bensaïd] që solli i nderuari xixa(Gabimi dhe domosdoshmëria!) në temën për Revolucionin Frëng; për Bensaïd leximi i Benjamin ishte një zbulesë). Sigurisht tërë këta janë profetë shekullarë, dhe çfarë ruajnë nga mesianizmi fetar, është karakteri i tij liberator, ngarkesën e tij eksplozive që çvendoset nga nga fusha fetare në fushën politike. Në këtë kuptim Revolucionin është një shekullarizim i shpresës të shëlbimit mesianik.
Në një farë kuptimi, sidomos krahasuar me botkuptimin marksit zyrtar të ishLindjes, e qartë që ky lloj vizioni rezulton reaksionar (siç është reaksionar Romantiçizmi në raport me Iluminizmin). Benjamin tregon se barbaria moderne nuk është një riciklim i një egërsie prehistorike, por saktë një fenomen i modernizmit. Sipas tij fashizmi nuk është rikthim në barbari, siç rëndom dhe në mënyrë gënjeshtare propogandohet, por, përkundrazi, është një fenomen modern si futurizmi në art që ka qenë fillimisht fenomen fashist, megjith përpjekjet iluministe liberale për të mos ta konsideruar si të tillë.
Së fundi si ilustrim i idesë, më poshtë gjeni dy citime shumë domethënëse; sidomos i dyti arrin skajin për të treguar që komunizmi është më tepër se fe:
Ardhja e Mesisë varet nga vetë ne, nga mundi i të gjithëve. Kurrë ndonjë ide nuk më ka dominuar kaq shumë, asnjë ide nuk ka ushtruar një ndikim të tillë mbi zgjedhjen e rrugën time më tepër se sa kjo: bota nuk mund të mbetet ashtu siç është, ajo duhet të bëhet krejtësisht ndryshe, dhe do të bëhet pa tjetër e tillë. Vetëm kjo siguri përcakton, qëkur kam qenë në moshë për të menduar, ekzistencën time si hebre dhe si bashkëkohës. (…) Kur disa kohë më pas ju drejtova Marksit dhe Hegelit, drejt shpresës së madhe të një bote të drejtë, të dalë përfundimisht nga parahistoria, ndjehesha në linjën e stërgjyshit tim mesianik - Manés Sperber, Të jesh hebre.
Leksionin tim të parë për komunizmin ishte Efraimi që ma mbajti (…) Efraimi agjitator komunist! (…) Efraimi, rabini hebre i dikurshëm, shpërndan trakte klandestinë! (…) Je çmendur Efraim? Ti braktis tekstet e shenjta për këto? (…) (Ai përgjigjet) Nuk kam humbur arsyen Paltiel. Hapi mirë veshët. Unë gjithmonë dëshiroj të shpëtoj racën njerëzore, të shpëtoj shoqërinë nga ligësitë e saj; unë gjithmonë dëshiroj të sjell Mesinë. Vetëm se kam zbuluar një metodë të re, kjo është e gjitha. (…) Nuk ekziston vetëm një rrugë që të shpie në shëlbim. Unë flas për veprim, jo mbi Perëndinë, por mbi historinë, mbi ngjarjet që prodhojnë historinë. (Paltiel përgjigjet:) Nëse Efraimi kishte përqafuar tezat rreptësisht marksiste, unë do i ktheja shpinën. Por në vend që të citojë Engelsin, Leninin dhe Plehanovin, ai thërret shpresën tonë të përbashkët mesianike. Dhe unë nuk mund veçse të miratoj.(Ephraim vazhdoi:) Çdo mëngjes, unë lutem që Mesia të vijë. (…) Komunizmi është një lloj mesianizmi pa Zot, një mesianizëm shekullar, social, në pritje për tjetrin, të vërtetin. […] Revolucionin duhet ta bëjmë, sepse është Zoti që na urdhëron! Zoti dëshiron që ne të jemi komunistë - Elie Wiesel, Testamenti një poeti hebre të vrarë.
pjesën e parë e gjeni këtu
Postime: 2
Pjesëmarrësit: 1