@InkuizitoriMoth shkruajti:
Nuk është kollaj të shpjegosh domethënien e termit “postmodern” meqë ekzistojne miriada shpjegime (gjëndur me lehtësi edhe në web), dhe nga ana tjeter (fela tjetër) domethënia është lehtësisht e shpjegushme si i vetëshpjegueshme: operacionet postmoderne kanë si pasojë zbrazjen e botës prej kuptimit, duke i veshur asaj shumëllojshmëri kuptimesh ose të vërtetash alternative. S’ke çfar kupton me një fjalë, ky është kuptimi, vari hejbet!
Me fjalë të tjera, nëse dikur ekzistonte një kuptim ose një e vërtetë që e shpjegonte botën, ose të paktën dhe me saktë besohej që bota ka një kuptim ose një të vërtetë të kapshme - siç pretendonin psh dy sistemet më grandiozë, më totalizues dhe më të zbatuar në zonën perëndimore: marksizmi dhe krishtërimi -, në epokën e sotme postmoderne besohet rëndom që bota ka shumë kuptime ose të vërteta alternative (që në plan të fundit do të thotë nuk ka as një kuptim ose as një të vërtetë). Si çdo besim, edhe në këtë rast motivi është emocional dhe aspak logjik: meqë për eksperiencë fresko dhe të hidhur të sistemeve totalitarë të strukturuar sipas një të vërtete, ateherë jo vetëm që nuk ka një të vërtetë, por nuk duhet të ekzistojë as edhe një e vërtetë. Thënë popullorçe: për inat të sime vjerre, vete të fle me mullixhiun.
Jo rastësisht termi “postvërtetë” (post-truth) është përdorur për herë të parë në vitin 1992 nga dramaturgu dhe skenaristi Steve Tesich, që shkroi në një artikull gazete frazën e famshme: “ne, si popull i lirë, kemi zgjedhur lirisht që duam të jetojmë në një lloj bote të post-vërtetë”. Dmth fenomeni spikati pothuaj menjëherë mbas rrëzimit të një sistemi që ja mundoi t’i japë një kuptim dhe një të vërtetë botës, sigurisht lindur ky sistem i fundit mbas falimentimit të sistemit monoteist (monist) të krishtërimit më parë. Pastaj që termi “postvërtetë” është përdorur në situata rrenash kryesisht të propagandës politike, nuk është dhe aq tregues, sepse origjinalisht politika nuk merret me të vërtetën, është filozofia dhe shkenca që kanë për profesion të vërtetën (ose ideologia, per të përdorur një term më pranë politikës). Politika futet në pilaf më pas e kushtëzuar nga qasja e të vërtetës me mënyrë ose metodë filozofike dhe shkencore.
Megjithatë, është pikërisht politika që jep rastin më iluminues për llojin e të vërtetës të epokes ngambrapa, i cili rast (përmëndur pak më poshtë) dëshmon më mirë se miriada faqe të shkruara nga mendimtarët postmoderne dhe kush mirret me ta (shprehja e modhe: i ke lexuar francezët?) duke rrahur ujët në havan kot më kot. Eshtë vërtet kohë e humbur për të kuptuar diçka të hajrit prej tyre dhe prej atyre që kanë lexuar francezët e mdhej ngambrapa: Michel Foucault, Jean-François Lyotard, Gilles Deleuze, Félix Guattari, Jean Baudrillard, Jacques Derrida, Julia Kristeva etj.
Për ta vazhduar aty ku e lamë në Pjesën e dytë, koncepti i bricolage, trajtuar për here të parë nga Claude Lèvi-Strauss, është zhvilluar më tej nga filozofi më i modh ngambrapa Derrida, i cili konsideronte filozofinë si një lloj operativiteti të bricoleur-it, si zanat marangozi. Pra filozofi njësoj si marangozi zmonton, rimonton, bashkon, ndërton, por më tepër se dru dhe gozhda, përdor koncepte dhe mendime, dhe falë këtij operativiteti bëhet i mundur krijimi i një koncepti të ri. Sipas Derrida çdo diskurs, duke përfshirë edhe atë të shkencës, është bricolage, mandje edhe vetë inxhinieri (shkencëtari) është një mit i prodhuar nga bricoleur, pra gjithçka është kulturë, është meta-gjuhe, diskurs mbi diskurs, tekst mbi tekst. Dmth të gjithë zanatçijtë e kultures, përfshirë shkencëtarin, rrëfejnë përralla, e ta do mendja që kryeprrallëtari i bie të jetë Derrida dora vetë.
Rasti iluminues për llojin e të vërtetës në modë, ka ndodh pak muaj para luftës ne Irak, ku Ron Suskind rrëfen përmbajtjen e një bisede të bërë në verën e vitit 2002 me një këshilltar të George Bush (me shumë mundësi Karl Rove):
Ai më tha se njerëz si unë bënin pjesë “në atë që ne quajmë komunitet i reales (reality-based community): ju besoni se zgjidhjet vijnë prej analizës tuaj të mençur të realitetit të shqyrtueshëm”. Unë miratova dhe murmurita diçka lidhur me parimet e Iluminizmit dhe Empirizmit. Ai ma preu shkurt: “Realisht bota nuk funksionon më në këtë mënyrë. Tani ne jemi një perandori, dhe, kur veprojmë, ne krijojmë realitetin tonë. Dhe ndërsa ju studjoni këtë realitet duke gjykuar si ju pëlqen, ne veprojmë përsëri dhe krijojmë të tjera realitete të reja, të cilat ju mund të studioni përsëri, dhe kështu më tej. Ne jemi aktorët e historisë (…) Sa për ju, për të gjithë ju, nuk ju mbetet gjë tjetër të bëni veçse të studioni atë që bëjmë ne”.
Thënë me dy fjalë, pa u futur në idiotësitë e debateve politike antiamerikane antikomuniste pordhikaliste blogiste: e vërteta krijohet, njësoj si krijohet një vepër arti, pra fenomeni mund quhet ndryshe, përsëri i përmbledhur me dy fjalë: estetizim i të vërtetës. Tani të gjithë, të çfardo zanati qofshin: filozofë, shkencëtarë, politikanë, ideologë, ekonomistë, blogistë, pensionistë, ulçerozë, kancerozë, ndjehen artista t’mdhej që krijojnë deri edhe të vërtetën, dmth rikrijojnë botën; çdonjeri ka një të vërtetë të vetën, një botë të vetën ku ndjehet vetë zot e vetë shkop (Web-i është fenomeni më ilustrues, jo më kot tani ndodhur midis tënë ngambrapa, i mbushur tumllas me rrena që i besojnë edhe ata që i kanë shkruar-krijuar). Pa dyshim ky është kulmi i arrogancës prometeike, më tutje nuk mund të bëhet më, njeriu ngambrapa tani ka marrë në dorë të tëra kompetencat e Zotit, pa asnjë autorizim prej Tij.
Postime: 1
Pjesëmarrësit: 1