Quantcast
Channel: Peshku pa ujë - Temat e fundit
Viewing all articles
Browse latest Browse all 3202

Një stap prej tjetri (nga Arb Elo)

$
0
0

@ars shkruajti:

a_fisher_girl_1874_XX_irkutsk_russia

Pingule me bazë hiçin

Përkundet urët ndër hapat tanë
një stërkëmbësh rrëzues, abstrakt, kurdo e anembanë,
vilani shteruese e përmbaruese,
një vend pa shtigje që të çojnë atje qenkësh e vërteta,
u shpreh një zotëri i urtë, a thua se

s’qenkëshin qëmtuar shkretërirat, s’qenkësh etur kurrkush në labirint për dalje, s’qenkësh plotur fyti
kurrë oazeve, s’qenkëshin mbushur raftet cit me shkronja, me rërë të urtë, me pluhur, të imët aq sa
hiçi, ah çfarë, ca më shumë! A thua se nuk qenkëshin ndërtuar piramidat e s’qenkan më atje, më hije
s’hedhin, të pjerrëta aq, sa mendja t’ikën drejt e në Sirius, a thua se ca më tutje, në Siri s’bëhet luftë,
se urinë me mana të kaltër po e shuajmë, me shirat që na i gufojnë lumenjtë shtratit me gra, të gërryer
paq nga uni, rrudhave të trurit; a thua se tempujt s’qenkëshin mjaft e tash na duhet një i tretë, se
Jeruzalemi, Meka, Vatikani, shtëpitë e bardha, Ku-Kluks-Klani, burgjet e varrezat e Zotit nëpër botë
s’mjaftojnë e veç Guantanamo na duhet, një tjetër Spaç për paqen, ku ta ndryjmë paq pëllumbin,
një kafaz prej titani, modern, për titanët, që t’i kemi ata përjetë mes nesh, profetët, marksat e të përhënurit
e holokausteve; a thua se nuk qenkësh shpikur rrota, se bota s’përpëlitet si peshk në stere e neve
të na rrihte vërtet zemra.

Ndaj - të më lexosh s’ke pse -
shënoj se e vërteta gjendet në boshtin tjetër, vlerë e saj
në rrafshin tonë horizontal veç
zero është, ngaqë aty na i kryqëzojnë, n’atë brinjë, duart,
aty lëvizim se s’na lë rëndesa,
e vërteta është nëntëdhjetë gradë më tutje, është pingulja,
hovi i katetit tjetër të kënddrejtit,
të një trekëndëshi, një piramide pa shkallë, me hipotenuzë
të pjerrët aq, sa ç’e do rrezen
e harkut që ke zgjedhur për të ndërtuar urën tënde kah ylli.

Në baza jote priret kah pafundësia,
drejt pafundësisë më të vogël, përndrimës imcake të Siriusit,
më i lehtë do të jetë stërkëmbëshi,
më konkret, jo aq abstrakt, veç drejtëz që hiqet shpejt shpirti,
udha më e shkurtër që lidh dy hapa.

Kënga e pasqyrës

Të jem nata e ditës sime dua,
të bardhën ta tregoj të zezë,
të kuqen blu,
të bukurave t’u tregoj plakjen pasqyrave,
plakave t’u shfaq bukurinë që patën,
të plotëve mpakjen,
ndërsa të metëve trutë.

Pyllit drutë,
detit të mbyturit,
foshnjave po dua t’u tregoj kufoma
e në morg dua të rrëfej fryte të bëra
dhe pamje të bëshme lehonash.

Ah, sikur të mblidheshim të gjitha ne në një,
në një të madhe fare,
të përzienim faqet tona në një libër të madh
e të mjerëve t’u tregonim kamjen,
të kamurve ovullën e vockël që paguhet për matanë,
xhelatëve veten e tyre
dhe viktimave të madhin,
të plotfuqishmin fare!

Kaherë më ndih pluhuri e ndonjë krisë,
herë më vjen dorësh tersi
që të thyhem dhe t’i qasem ca amshimit tim,
shëlbimit të çdo kopjeje,
kur nis të bëhet e vërtetë çka shfaq
e nis të shndërrohet në origjinal,
të hapet sipari
e në skenë tjetri të shohë jo veten e t’i buzëqeshë,
por tjetrin vërtet,
atë që nëpërkëmb,
atë që sheh përballë,
simotrave tona, ëndrrave, parandjenjave dhe vdekjes;
më mirë akoma do të ishte që ne të emigronim fare matanë dhe ato,
pasqyrat e asajbote, ato të përfarshmet,
të zbrisnin për ca kohë këtupari, poshtë.

Shtrimë të lutem përdhe
dhe lermë të sodis aty qiellin,
të soditet ky në mua,
copa pellgjesh e detesh jemi fundja!

Dhe, nëse bën kujdes
e nuk sheh vetëm veten tënde kur shihesh në mua,
ndoshta do ta vësh re shëmbëllimin tënd
për një çast të të dridhet paksa,
të fërgëllojë një çast të shkurtër mbylljes së syve,
nuk je ti që ai dridhet ashtu e nuk e ka ekrani,
( ne punojmë me tjetër rrymë )
në sheh pra një valëzim të lehtë sipërfaqes sime,
në vëren që po fryn në mua puhia,
kur piqemi sërish dhe gjëkund,
është druajtja se mos të hyj pak në hak,
se mos te liria po të ndërhyj sadopak,
se mos të hyj nëpër sy,
dhe ajo jam vetë unë,
pasqyra e vërtetë,
patjetërsia.

Shifra dhe flokë

Njëqindetridhjetëmijëekatër flokë
kishe në vitin e largët nëntëdhjetëetetë
e dyzetëmijëeshtatëdhjetëepesë qime
në muajin e tij të tretë, më datë trembëdhjetë
në ora dy e njëzetedyedyzet.

Kemi këtu çdo regëtimë të zemrës tënde
e, natyrisht, çdo lajthitje, secilën fjalë të tepërt
e çdo shkelje në dërrasat e kalbura të urës së jetës;
kohë ke ende sidoqoftë, parë që po merr frymë tani
e të rreh në gjoks akoma lavjerrësi që tundim ne,
akoma ke kohë të hedhësh sytë një herë pas,
një herë përpara, për nga bregu tjetër,
dhe - ndonëse nuk është e domosdoshme kjo -
të shohësh një herë poshtë në greminë
e të marrësh nga frika frymën e thellë,
ta marrësh atë si të ishte e fundit,
e ndoshta - por nuk ka pse -
të mërmëritësh një mea culpa me vete
e të mos flasësh qysh aty e tutje aq shpesh,
se fryma që harxhon për të folur të duhet,
të duhet vërtet, për t’u mbajtur edhe ca,
sidomos kur të ndodhin shembjet,
medoemos kur të këputesh në mes,
me njërën pjesë të lidhur në lindje
e tjetrën të hedhur përtej, se urë je,
e lumit që shkon përmes rrëmbyer aq i bën,
në u shaluan përsipër hapat e qiellit mbi të.

Tridhjetëegjashtëmijëepesë flokë ke tani
e fiks gjashtëmilionepesëqindmijëedyqindetre
rrahje zemre derimë atëherë.

Shih t’i zbardhësh e t’i lësh flokët me nder,
shih të të rrahë zemra për të tjerë,
shih të vdesësh pa vrer…
shih e bëj ç’të duash fundja:
në dorën tonë je sidoqoftë.

Peshoret i kemi të sakta fort,
numrat nuk na mbarojnë kurrë,
ndërsa botë kemi më shumë se njerëz,
kohën kemi lënë t’ju ruajë,
Cerberin për tufën tuaj.

Po ta dinit se ç’bëhet tani
me Maon, Josifin, Adolfin e Enverin,
kijameti do të ndodhte nesër.

Megjithatë, mund ta shihje edhe kështu:
më e shumta brenda njëqind e njëzet vjetësh,
(po të lemë mënjanë këtu ca pemë
e ndoca breshka treqindvjeçare)
ai do i ketë ngjarë me se s’bën secilit prej jush,
ndërsa zemra të rrahu tetëdhjetëetetë herë,
tridhjetetri herë nga frika e një herë
më shpesh se kaq nga Shpresa
kur shkrove këta rreshta.

Një stap prej tjetri

Kur të tjerët flenë a më s’janë
vetvetja merr tjetër përmasë,
a thua se pasqyra ku banon,
kur syri së jashtmi i mungon,
i jepet si zhivë ethes ku noton,
trajtës më të vogël si kompas.

Melodia meket e veç një bas
që pulson të nget e grah në ty
një mendje monotone pa gaz.

Ne, ç’fjalë larushe, ripërtypëse
si lopë, mendjeshtypëse, porsi
brirë të kotë, kinse të mprehtë,
për t’u mbrojtur nga tjetri, vetja
syresh e përbri, që frymon atje.

Ne, bar varresh, barrë varrësh…

Ç’kullotë! Qumësht me lot, plot
sisat me ta, tek na bie përtokë,
përfare, fara ndër varre. Ç’botë!

Zot! Me rrokjen tënde të brishtë
pa semantikë po mëkatohet fort,
gjithkush tek e mendon, e thotë,
kur ta merr me mend dëlirësinë,
kur fal dhe nuk merr më dot pas
frymë, fjalën më të gjatë në botë.

Ç’kullotë purgatori, ku ripërtypim
aq thellë qiell e hone të pambirë
ende plot nën eshtrat tona. Ç’zor!

Kujt i duhet, iu dashka kjo vërtet,
në mos për të shlyer vuajtjen hua
me një jetë tjetër dhuratë, në mos
për t’u matur me një kut të paqmë,
me hijen e agut të mbetur në vend,
në mos për ta patur të fortë stapin
ku do të mbahemi, stapin prej tjetri,
të mbahemi pra kur t’na çuditin aq
viset ku baresin bashkë të drejtët?

@ Arb Elo

Postime: 2

Pjesëmarrësit: 2

Lexo temën e plotë


Viewing all articles
Browse latest Browse all 3202