@ars shkruajti:
skica nga Arb Elo
Rrëke psi-ke
1.
Janë bërë të tërë si Abrahami, ashtu si ç'jepet ky në Kuran: marrin varenë e menjëherë në odën e idhujve e i çapëlojnë këta natën. Kur ngrihesh ti në mëngjes nga gjumi e nisesh të marrësh abdes-in e përditshëm, gjen Kadarenë copë në njërën anë, Kutelin të groposur në Maliq, Migjenin me grafiti, Agollin me Ngjelën dhe Markun në anën tjetër: Fevziu u mat kohën me kronometër: njëri e çmonton, tjetri e ngre po aty në qiell: çështje minutash emisioni dhe shikueshmërie. Ore po ç'bëhet kështu, thua me vete? Po tani o profetë, kë të besojmë? Tani është dy duar për një kokë, të gjegjen: në e ke bosh atë, kalo andej nga hyrja, aty ku rrinë skribët, diktoi atyre frymëzimin tënd, ata ta shkruajnë, ta hedhin në internet, ose te Panorama a te MaPo, nesër të vëmë ty në krye të vendit. Mirëpo, mendon ti, po veç ca frone janë, nja tre a katër në Panteon, te piramida, si i bëhet? Është si ajo loja me karriget, të thonë, tre karrige, katër persona me sy të lidhur, hopla-hopla, stop: secilit të vetën. Kush mbetet pa bukë, veten pastë në qafë! Tri karrige për gjashtë milionë është pak si pak, apo? Ky pra është tregu i lirë, nuk e kupton? Zhgrap copën tënde të qiellit dhe nxito, përndryshe mbetesh pa koromane fare. Nejse, u pa puna, po rilexojmë Kafkën edhe një herë, "Artisti i urisë", lexim i vështirë dhe ekzistencial, sidomos kur ta bëjnë tatuazh brinjëve me uri...
2.
Sot në Shqipëri, po të kesh lexuar "shumë", të marrin te Fevziu. Ore, më tha një shok i dikurshëm shkolle (më shkroi këtu, te chat-i), që tani zotëron dy televizione, tri kompani ndërtimi dhe disa ferma për mbarështrimin e karasit, atij peshkut kinez, - që i thonë edhe ballgjërë, i cili nuk do t'ia dijë as për antitank: peshkatarët e dikurshëm të Liqenit Artificial e dinë se ku e kam fjalën dhe u dhemb - ore më thotë ky i njohuri, hajde plako të të nxjerrim në TV., ku të duash, o te Big Brother-i, o te Gjebrea, o te Krasta, o te Xhunga! Ta mendoj i thashë, erdha në shtëpi, drejt e bodrum, nxora varenë dhe e bëra fërtele flat-in e ri. Ç'pate ore, më tha Ksanthipi, kur erdhi nga puna, e mbufatur siç është nga të ngrënat dasmave, me ato llërët kanosëse që ngjajnë me mortadelën e lidhur me spango. Asgjë e dashur, i thashë. E ke parasysh atë kthesën muzikore në stil te "A Momentary Lapse of Reason" të Pink Floyd-ave? Ja, atë pata. Ke bërë ndonjë gjë për të ngrënë - ajo - se më griu uria mua? Kam fërguar sallamin - i thashë - atë mortadelën e mirë, që ta dhuroi ajo shoqja nga Polonia. Nuk je edhe aq torollak ti jo - u zbut tani, - tani hopla, futi një fshesë me korrent dhomës, ndërsa unë, pasi të kem ngrënë, po e marr me leckë të lagur. A ta marr unë me leckë? - e pyeta, porse në fakt po kërkoja të merrja në zotërim legenin me ujë. Sepse me Ksanthipin nuk i dihet asnjëherë, tani buzëqeshet, tani është e ngrysur, mu si qielli, me re nganjëherë e shiu nuk vonon pastaj...
3.
Sot në Shqipëri, po ta shkruash shqipen pa gabime, konsiderohesh shkrimtar serioz, me ca të tilla shkrimtar i talentuar, me shumë të tilla shkrimtar premtues, porse shtëpive botuese u duhen korrektorë.
Po ta qërosh ca më hollë qepën e shqipes, je ose mendimtar, ose elitar, ose zagar, kjo varet nga shtëpitë botuese. Ca më trashë se - dhe për - kolegët: sultjash; ca më hollë se ata: kaqol. Sidoqoftë, që do qash nga qepa, kjo është e sigurt, veç në qofsh Homeri a Borhesi, por edhe këta qajnë me të madhe, me dënesa, andej nga janë, kur u vërtitet sateliti këtej.3.
"Bëje burrë personazhin tim në monografinë që do të shkruash për të, nëse do e shkruash, të kërrusur, skilipec, me kokë të varur me gunga - i tha vetja në ëndërr Kostës. Një xhup të vjetër, të zi, dhjetëvjeçar, me xhepa të grisur nga brenda, gjithnjë me kufje në vesh, në verë me syze dielli me xham të zi, ku nuk dallohet nga jashtë se ku shikojnë sytë.
Po, të ngeshëm deri në dembelizëm, të ngeshëm pa fund... e shoh përditë që rrufit kafe njëra pas tjetrës me nge në lokalin në shesh, gjithnjë o vetëm, o me një fëmijë, i cili këto vite është bërë gati burrë. Të gjithë ia dinim për të birin, derisa na tha ky (i nipi) që qenkësh xhaxhai ai dhe jo i ati.
Flitet që është skizofren, që hera-herës fyen njerëz që nuk i njeh fare. Po jo ore, më tregoi Jani, greku, pronari i lokalit në shesh. Po janë njerëz të ligj ore, se Barbin e kam klient, u bënë 20 vjet që e pi kafenë këtu e nuk ngacmon as mizat, kur e ngacmojnë ato. Nuk flet shumë, është e vërtetë, më së shumti rri në cep atje kur është vetëm, vë kufjet edhe kur ka muzikë lokali - me sa duket, nuk i pëlqen muzika jonë, por është në të drejtë të vet, apo jo, të ketë shijet e veta? Ja, prandaj e konsiderojnë të çmendur, se e sjell muzikën me vete. Njëherë më erdhi me kanën e kafes e filxhanin e vet nga shtëpia dhe i thashë: Dëgjo Barb', ne me këtë jetojmë, me kafen, kupton? Po mirë o Kosta, ma ktheu, kafen tënde unë do e porosis dhe do e paguaj, ti nuk mund të më detyrosh që edhe ta pi, apo jo?... Kishte të drejtë, ndoshta, porse i thashë: Barbi, dëgjo, lokali është edhe çështje imazhi, jo vetëm ekonomike, kupton? Ah po, tha i shkreti, këtu të jap të drejtë dhe e rrëkëlleu kafen tonë si lëng groshe me një frymë, pagoi gjithë ç'kishin pirë ata që ndodheshin aty, mori kanën e vet e shkoi ca më tutje, në bordurën e kishës në shesh, u ul mbi të e nis të pinte kafen e vet, me syzet e rrasura thellë mbi hundë, si gjithnjë. I shkova edhe atje e i them: Barbi, më dëgjo: nuk kam asgjë me ty, nga klientët këtu, ty të respektoj më shumë, mund të vish kur të duash, siç edhe ke ardhur, po dua që të ma kuptosh edhe situatën time... Aty i iku truri; okej, ka edhe ai eksceset e veta e më fyeu rëndë. Po ç'të tha o Kosta? Ik ore zagar, më tha, çfarë do tani nga unë? E sqaruam një herë atë punë, të erdha, kafen ta piva, ta pagova, çfarë do më shumë o njeri?! Priftin katolik e gjen aty që të rrëfehesh o grek i pabesë, po ju jeni dhe ortodoksë, nga ata që helmuan Papa Kriston! - e më tregoi me dorë me përbuzje kishën pas. Po ç'Papa Kristo thua o Barbi! Papa Kristo Negovanin, më thotë. Nejse, kisha dëgjuar që merrte flakë kot nganjëherë, por nuk do e kisha besuar, derisa e përjetova vetë. Nuk vjen më këtu; tani e pi kafen te ca kurdë, në anën tjetër të sheshit, i ka mbetur qejfi me sa duket. Porse nuk është agresiv, jo, kështu me grushta e sherre me thika: atij jepi kufjet, kafen e do të mirë ama, mundësisht ndonjë çupë e kaq, lëre pastaj të qetë. Po a nuk po e duam këtë të tërë? Nejse, se unë do të shtoja edhe Metaxa-në e përditshme në atë listë dhe uzot pas brunch-it, dhe verën darkave, dhe ndonjë joint, dhe ca para më shumë, dhe, dhe..."Takim për fejesë me shkesi
Më tregon një mik për një të njohur të përbashkët; ky paska një shok, për mua të panjohur, por edhe për të me sa duket: shkon ky tipi në një takim për fejesë, nga ato me shkesi, vjen ajo vajza e veshur e tëra në blu policie e drejt e me të parën këtij: "Shiko - i thotë - se unë i kam sahanet pa kapak." Ky: "Kapak më quajnë. Nisur nga shumësi i fjalës: Sahane qenkësh emri apo mbiemri juaj?"
Kothere, kanaçe, vargje
Vëllimin me poezi, për të cilin do të bëjë fjalë ky shkrim, nuk e kam lexuar ende, për të mos qenë i ndikuar prej leximit në hedhjen e këtyre rreshtave paraprirës, nga më prozaikët që mund t’u bëhen a priori vargjeve.
Vëllimi ka marrë çmimin e Panairit të para ca viteve të Librit, porse, pa e lexuar akoma atë, ose nuk do t’ia kisha dhënë, ose nuk do e kisha marrë, ose do ia kisha dhënë, pa e lexuar fare këtë, A. Rexhajt - dhe këtë nuk e shënoj aspak me ironi. Po këtë do të kisha bërë edhe me çmimin e vitit që shkoi, që e mori, për të n-tën herë Agron Tufa. Mirë ia bënë që i dhanë edhe atë "Pena e flakës" të Gjilanit a të Karadakut, - se këta tubimet bëhen tani thuajse në çdo katund të Kosovës e nuk ua mban mend njeriu emrat. Po me një vëllim me poezi, që as atë nuk e kam lexuar. As atij nuk do ia jepja: do ia jepja edhe atë Rexhajt. Edhe çmimin e Ministrisë së Kulturës do ia kisha dhënë, në mos prapë Rexhajt, ose Fevziut, ose Ben Blushit. Nga ana formale kjo zgjidhet: një t’ia këputur njërën kokë shqipes sonë që, si ç’dihet mbarëkombëtarisht, ka dy të tilla: të majtën Blushit, të djathtën Fevziut. Edhe këtë e shënoj pa ironi. Arsyeja është e thjeshtë: këto çmime nuk kanë para.
Ndërsa çmimin që jep Henri Çili do të doja ta fitoja vetë, sepse ky ka para, dhjetë mijë euro. Edhe këtë e shënoj pa ironi fare. Sepse paratë të duhen, nëse shkruan vetë. Jo për t’u bërë milioner; milioner bëhesh me mospagim taksash, me gazeta, - apo gazetat ndodhin më pas, pak a shumë kështu, - se po ta dija se si bëhesh milioner, nuk do të shkruaja këto rreshta, po do të isha tani në tribunën e stadiumit ku luan Gramozi me Realin, ose nëpër dasma ku kërcehet Napoloni e do ia hidhja qindmijëshet në fjalë klarinetistit.
Ose do të isha në presidencë, sëbashku me më të suksesshmit e letrave, sipas kreut të vendit. Këtij do i sugjeroja të shkruante ndonjë version modern, spic, të Kanunit të Letërsisë: »Ungjilli sipas Nishanit«.
Ose në kryeministri, duke u marrë me strehën e saj, që kushton sa gjithë çmimet vjetore të librit qysh nga pushtimi prej otomanëve e deri te noveçentoja, për të mos folur për aklimatizimin e Galerisë së Arteve, në mënyrë që publiku art- dhe hashashdashës kryeqytetas të shijojë nudot nazike të asaj kohe si ç’duhet: pa djersitur.
Paratë e çmimeve të duhen, nga ana tjetër, për të financuar koston e botimit të librit që ke nxjerrë, për të cilin ke marrë çmimin, më kupton? Nëse të mbetet ndonjë lek, mund të financosh edhe librin e radhës, gjithnjë duke e ditur se këtu rrezikon investimin tënd, se kush mund të fitojë përvit nga një çmim, pos atij ku po të vete tani mendja? Ah po, ka edhe të tjerë, ata që të ndërmenden menjëherë pastaj, ndoshta ia vlen vërtet, parë që çmimet i kanë marrë të tërë, pos Rexhajt; sidoqoftë, me dy-tri lëvizje mendore e kupton shpejt se është pa bukë e gjitha kjo, për të mos përmendur fjalën »kothere« e ja, mu tani nis ta admirosh Albatrosin - pa ironi fare - për hajthmërinë financiare, parë që ky nuk ka marrë çmime, por ka fituar shumëfish paratë që ka investuar për të blerë like-t në facebook dhe 450 mijë fanset; 450 mijë fanse? Kaq nuk bëhen edhe po të llogaritësh këtu vajzat që »punojnë« jashtë, po nejse…
Ky po që e ka kuptuar mirë »liberalizimin« e tregut, liberalizmin e Çilit. Edhe ky atë nënkupton pa e thënë shprehimisht: për të fituar kotheren me art duhet ose të mos marrësh çmime e as të t’i japin dot, jo me tamam, por ndoshta mund ta interpretonim kësisoj gjuhën e trupit, kur kërcen me velina në »Dancing with the stars«. Ç’them dhe unë: e ka thënë ore edhe »me gojë« në Opinion. Kështu është kur nuk e sheh këtë përnatë, nga admirimi, në mos zilia që të ngjallin këta, Fevziu, Rama, Blushi dhe Rexhaj. Se këta ia kanë dalë. You get it? Ah, se mos harrojmë këtu floririn: Ilirin.
Le t’i kthehemi ca vizionit kulturor të këtyre të rinjve, se edhe në kohë të Berishës nuk e kish mendjen kush te gjuha, meqë dhëmbi gjendej në shëtitoren »Dëshmorët e kombit«, ku hoqëm katër. Kush? Hm… një herë të lejohet të vësh gishtin mbi njërin, mu si ato lojrat me karta, që i përziejnë ca mashtrues ordinerë rrugëve të Bathores, ku të duhet të gjesh asin. Natyrisht që do të lësh leshtë e kokës, në të lë mendja të hedhësh para në ndonjë kartë, mu si me firmat piramidale. Po Sudja u kap dhe Xhaferri, tani të shohim… tani? U bë më shumë se një çerek shekulli o njeri, 2017, iku gjysma e vetëdijshme e jetës, akoma te noveçentoja ti? Po ja që gjuha shkon aty… Mblidh mendjen, futju italishtes dhe kalo nga Berluskoni, në do të bëhesh njeri. Ja, shihi këta: para pa fund, deri edhe presidenti i futbollit është bërë perandor, tani vetëm muri mbetet, jo ai i Berlinit ore, por muri i madh kinez, të shohësh si e ka bërë vilën, të ikën mendja o njeri! Dashnore pa fund, kokainë të pastër, ndërsa hashashin e përdorin për çaj kompresash, kupton?
Po çmimet…. Po çfarë çmimesh thua, po a je në terezi? Rreshpja vdiq rrugëve i uritur, një tjetër shiste kanaçe, në do të vdesësh për bukë në Shqipëri, ulu e shkruaj. Se do të të duhet edhe të paguash për të shkruar, kupton? Për të mos folur për shitjet. Po si e shpjegon ti atëherë që shkruajnë të tërë? Po atë po them, prandaj edhe po vdesin robt në Mëmëdhe, më kupton, prandaj po ikin me të katra që aty, se ose shkruajnë vetë, ose tjetri, domethënë të gjithë.
Shiko si bëhen këto gjëra: bli së pari like (lajka) në Facebook, ose kthe dynjanë përmbys të të marrë Blendi në emision e ja, u kry: 5000 kopje shiti ai tipi në Panair, isha aty, e kam parë me sytë e mi, i shiste kopjet tjetri daku si qofte, hec aty. Boj paret i herë plako, shifi k’ta kullerat, k’ta frajerat e Kosovës që kon’ pjeshkat mo t’mira… Po shqipja… Hala te shqipja ti shoku? Hika unë. Tung!"Fjalët mbrapsht"
Im nip, që është tani në gjimnaz, shpesh qahet nga rreptësia e mësuesit të tij të gjermanishtes, i cili i ul pikë për çdo fjalë të huaj, për çdo thonjëz të vënë gabim (gjermanët e vënë hapjen e tyre poshtë dhe mbylljen sipër), për çdo lapsus pra në shkrimet e tij shkollore. Vetëmevete i gëzohem mësuesit të tij e fatit të nipit tim që ka një të tillë; nga përvoja e di se, - sidomos në zejen tonë, të cilën ai mëton ta mësojë në universitet pas pjekurie, - e di se, si ç'thotë një fjalë e urtë këtu: "Djalli bun nëpër çikërrima" dhe e nguc edhe vetë kah përkryerja e gjërave të thjeshta, që na ngjajnë aq të vetëkuptueshme, sidomos ne shqipove, mu si ai plaku që i mësonte karatenë duke lyer gardhin herë majtas, herë djathtas, atij rishtarit të Kung-Fu-së.
Ne shqipove na ngjajnë të vetëkuptueshme ca gabime fillestare, ndaj edhe na vjen keq kur na i vënë në dukje si të tilla, si gabime pra, sepse ndiehemi të prekur në egon tonë që buçet: "Mendon ti se unë nuk e dikam që ky qenkësh gabim?", kur tjetri na thotë se qenkësh i tillë, gabim pra. Pyetja që vijon na lë pastaj jo vetëm pa fjalë, porse ka të ngjarë t'i turremi atij, tjetrit pra, me kuç e me maç e me ç'i mban pragu i shtëpisë. Pyetja do të ishte: "Nëse e di dhe vetë qenkësh gabim, atëherë pse e bën ose, më mirë akoma, pse nuk e korrigjon, por e publikon me lapsuse?"
Përgjigja do të ishte, po ashtu, e thjeshtë: sepse ngutemi, se jemi kokëkrisur, sepse për një plesht djegim jorganët.
Mirëpo ja që vetëm vënia në dukje e gabimeve si të tilla na ka nxjerrë tash nga hullia e normalitetit e nuk jemi më në gjendje të dallojmë mes mikut, atij që na e do të mirën, dhe armikut, përgojuesit, grekut, serbit, rusit dhe kinezit, zevzekut, mistrecit, - shih si bën ky more aman, - epitete mund të shtoheshin këtu pa fund; jo më kot shqipja jonë është përplot me të tilla.
Mirë është që vënien në dukje të gabimeve të mos e bësh në realitet, në të vërtetë, nëse nuk do të rrezikosh fizikisht shëndetin tënd dhe atë të të dashurve të tu; për të tilla çështje vriten njerëz përditë në Mëmëdhe, si ç'nuk mungojnë të na informojnë me zell të paparë të përdalat e përditshme.
Në të vërtetë, më mirë akoma është të mos ua hedhësh sytë fare fyesve të tu të mundshëm dhe urryesve, që mezi presin matanë t'i gjejë dikush me dellin e duhur për t'u zemëruar me objekt. Po ja që kjo nuk bëhet, për sa kohë të intereson gjuha e mëmës.
Nga ana tjetër, gabuesit thuajse të përgjërohen që t'i komentosh, ndonëse këtë nuk e kanë përnjëmend; komentimin e pranojnë vetëm për aq sa u bëhet fresk. Çdo gjë më shumë se aq përbën ose lëndim, ose abuzim me lirinë e fjalës, që dhurohet si mall me shumicë po nga vetë ata.
- Si i bëhet atëherë? - më pyet im nip, të cilit ia rrëfej këtë problematikë jo pak të stërholluar me anëtonasit. I gjori; ngjan thuajse naiv në rrekjet e tij për t'i bërë gjërat më së miri, qoftë edhe vezën syzë.
- Shumë thonë, - i gjegjem, - se ai vend nuk bëhet. Në të vërtetë, vendi nuk është tjetër gjë pos banorët e tij, po a "bëhen" dot këta të fundit? Nuk më përket mua ta gjykoj këtë çështje dhe është mirë kështu; jo për gjë, po kam të ashtuquajturin konflikt të interesit: unë jam njëri nga ata. A më kupton? - e pyes mbrapsht.
- E çka këtu për të kuptuar? - thotë i shkreti. - O i bën thonjëzat lart, ose poshtë; ky rregull përshkruhet nëpër doracakët përkatës; hap librin, shiko rregullin dhe bëje si ç'duhet; ku është problemi?
- Ja pra, kaq gjë shumë njerëz nuk e kuptojnë; ky është edhe problemi. - i them. - Ti u thua të këshillohen me fjalorin, ai ta kthen: fjalët mbrapsht!
- Ç'do të thotë "fjalët mbrapsht" o ungj? - më pyet nipi.
Dhe unë që s'di si t'ia përkthej këtë shprehje.
Postime: 2
Pjesëmarrësit: 2