@ars shkruajti:
Përsiatje mbi natyrën e kohës, dritës, qenies dhe teorinë e botës
nga Arb Elo
1.
Si ç'dihet - tashmë gjerësisht - në teorinë e relativitetit shpejtësia e dritës është kufitare: asnjë objekt e informacion nuk mund të lëvizë më shpejt se drita në vakuum.
Po sipas kësaj teorie, nëse lëvizet me shpejtësinë e dritës koha mbetet në vend.
Çfarë lëviz me shpejtësinë e dritës në mos drita vetë?
Deri këtu vetëm kemi përsëritur ca gjëra që mësohen në gjimnaz e që tifozët e »Star Trek«-ut i dinë përmendësh.Prej këtu e më poshtë vijon arsyetimi ynë. Ai do të jetë brutal për nga thjeshtësia.
Nëse koha mbetet në vend kur lëvizet me shpejtësinë e dritës e me këtë lëviz drita në vakuum, atëherë - nëse mund të flitet për shpejtësi pa kohë - kjo shpejtësi kufitare nuk mund të ketë vlerë tjetër përpos vlerës 1.
Të gjitha lëvizjet e tjera duhen vendosur pastaj në relacion me të, pasi shpejtësia e dritës është kuti me të cilën do të matim pjesën tjetër e kjo marrëveshje do të ishte e natyrës aksiomatike, mu ashtu si ç’biem në një mendje që një metër është masa me të cilën matim gjatësitë e pse kjo është kështu, pse 1 e jo 0 - është tjetër aksiomë, matematike kësaj radhe e që do të nënkuptonte se sistemi matematik që kemi zgjedhur do e përjashtonte zeron, që do të thotë se në një sistem koordinatash karteziane (ortogonal) x, y - bie fjala - prerja e akseve, vlera e saj do të ishte 1 e jo 0, siç shënohet rëndom.Pasi për shpejtësinë e dritës nuk do të mund të thuhej dot asgjë; ajo do të merrej e dhënë. Të njëjtën aksiomë do të duhej të merrnim të dhënë për masën e fotonit në fizikën e grimcave, pasi edhe ky do të ishte një kut tjetër aksiomatik e do të kishte vlerën 1.
Çfarë do të pohonte ky arsyetim për vlerën e kohës (së mbetur) kur lëvizet me shpejtësinë e dritës? Vlera e saj do të ishte po ashtu =1, (pasi koha nuk mund të mos jetë, të mos ekzistojë ; përndryshe nuk do të mund të flitej fare për fizikë) dhe vlera reale e saj do të ishte e papërkufizueshme sepse ajo, vlera me një fjalë, do të tentonte përkah pafundësia në njërën anë, ajo e madhja, dhe në të njëjtën kohë kah zeroja, pafundësia tjetër, ajo e vogla: ndaj në sistemin që kemi zgjedhur vlera e saj do të ishte 1. Dhe kështu është vërtet, si në fizikën e thërrmijave, ku koha është thuajse e papërfillshme, në njërën anë, po ashtu edhe në fizikën e Ajnshtajnit, ku ajo mund të tentojë kah infiniti, varësisht nga masa.Efekti i vëzhguesit në fizikën e grimcave do të shpjegohej kësisoj fare thjesht e jo vetëm ai: në fund të fundit, ne po pohojmë thuajse që gjithçka rrotullohet rreth dritës dhe masës e që këto të fundit, si drita në formën e saj të pastër, në vakuum, ashtu edhe masa në pafundësi, vrimat e zeza, nuk kanë se si të lëvizin, porse gjithçka tjetër rreth tyre.
E që është natyrisht ashtu: a nuk rrotullohen rëndom planetet rreth yjeve dhe objekteve me masë më të rëndë se vetja? Edhe në mikrokozmos është e njëjta gjë. A nuk çlirohet gjithnjë nga »lëvizjet e masave« (sic!) energji e dritë më së shumti?
Kjo që pohuam më sipër nuk është se e përjashton as Ajnshtajnin e as Plankun; është një zgjerim, një sprovë për të rrokur në një qëmtim të dy modelet në një.
Po të mejtohej edhe më, do të arrihej shpejt në përfundimin se në këtë sistem koha nuk do të ishte cilësi e hapësirës, porse forcë elementare që vepron në kozmos, një, si të thuash, gravitacion i hapësirës, ndërsa në sistemin që morëm të dhënë më sipër, kartezianin, do të kishim dy akse, atë të dritës (energjisë) dhe atë të kohës, të vendosur në hapësirëkohë, pikëprerja do të kishte vlerën 1, ndërsa zeroja nuk do të na duhej.Le ta shtjellojmë edhe ca përsiatjen fizike të mësipërme ca më shumë.
Kush na ndoqi derimë këtu do të ketë vënë re se në sistemin tonë, botëkuptimin që shtjelluam, ka dy pole, masa nga njëra anë e drita nga ana tjetër. Dhe kjo është po ashtu e fiksuar në formulën botërisht të njohur: E=mc2 (ku c është shpejtësia e dritës).
Në sistemin që morëm për të dhënë (ku koha dhe masa, meqenëse kjo e fundit është vetëm një ngrirje, si të thuash, ngrirje e hapësirës, një formë e saj, mu ashtu si akulli është një formë e avullit dhe dendësimi i saj kulmon si singularitet në vrimën e zezë), ku koha dhe masa (hapësira) pra vendosen në relacion me dritën, atëherë do të kishim dy singularitete: dritën dhe vrimën e zezë.
Kur fizikanët nuk dinë më tutje, nxjerrin nga mëngët asin e singularitetit. Big-Bengu? Singularitet! Skajet e kozmosit? Singularitet! Vrima e zezë? Singularitet! e me radhë.
Në sistemin tonë nuk do të kishim, parë hollë, asnjë të tillë, pasi drita dhe masa do të ishin të lidhura (po të lemë mënjanë për një çast energjinë) me një fill kohe: në sistemin tonë gravitacioni është vetëm e thjesht kohë (meqë kohën e deklaruam për forcë), por jo vetëm ai: të gjitha forcat elementare do të ishin shpërfaqje të kohës si të tillë, forma të saj.Pse nuk do të kishim më singularitet? Sepse në anën tjetër të vrimave të zeza do i binte në mënyrë hipotetike të lindte drita në universin paralel dhe anasjelltas. E meqenëse ky lloj argumentimi mund të shtjellohej pafundësisht, atëherë mund të jepej numri i universeve me n, pafund.
Çfarë do të nënkuptonte kjo për Big Bengun? Fillesë? Ah, çfarë, vetëm njëri prej tyre. Dalai Lama iu përgjigj njëherë kësaj pyetjeje, se çfarë mendonte ai për Big Bengun me një kundërpyetje: Which one? Kështu e shohim edhe ne, me ndryshimin jo pak thelbësor që masa, forca që e shkaktoi atë buroi nga një vrimë që u shpua në topin që po luhej në një nahi tjetër.Pasojat e parashtrimit të mësipërm - gjithnjë nëse ky do të përmbante një grimcë të vërtete - do të ishin, më së pari për kozmogoninë, të natyrës elementare: nuk do të mundej të flitej për univers si të tillë, pasi çdo burim drite, çdo yll, çdo përqëndrim mase, do të duhej të shihej si univers më vete. Për të mos folur për kartografimin e derimë tanishëm të galaksive e me radhë: hartat e kozmosit dhe modelet që na ofrohen emisioneve popullore për hapësirën do duheshin riparë, ridimensionuar.
A do të rrëzohej relativiteti me këtë? Jo aspak. Thjesht kemi vënë në dyshim shembullin e njohur, atë bazik, mbi të cilin mbështetet relativiteti: atë të dy trenave dhe vëzhguesve në ta, për të pohuar që, nëse njëri tren është prej drite, nuk mund të pohohej asgjë, pa rënë në paradoksi absurde, nuk mund të pohohej pra as që ai lëviz e as që ai nuk lëviz, pasi cilido pohim do të binte ndesh me përkufizimet e kohës dhe të shpejtësisë si të tilla.E njëjta gjë do të vlente edhe për një tren me masën e pikut të një vrime të zezë; të dy trenat në relacion me njëri-tjetrin janë drejtëzat tona paralele; priten a nuk priten, kjo është aksiomë më vete.
Ndaj na duhet ta marrim trenin e dritës si aksiomë të pavërtetueshme e mbi të të ngremë deduktimet për çka mbetet.Në fund të fundit, po ta përfytyronim hapësirën si banesë, ne po e matim atë me një kut drite, mu si ato shpatat me laser të Star War-sit, ku kuti vetë nuk mund të matet me tjetër gjë e as të vihet (parimisht) në relacion, pasi do të ishte njëlloj sikur të matnim një metër, një etalon, me një njësi tjetër që matet zakonisht me metër, ndërkohë që metri vetë është njësia bazike: për këtë, për masën, na duhet të bëjmë një marrëveshje, pasi fare mirë mund përcaktonim dymetërshin për njësi e me radhë: gjithkush që ka mësuar në shkollë për sistemet e di që ka disa të tillë.
Me një fjalë, ne po pohojmë se vlera 300.000km/sec. na bën punë, parë nga këndvështrimi ynë, por në thelb, në një dimensionim të gjerë, është absurde, pasi do të ishte njëlloj sikur të pohonim që metri ynë është në varësi nga banesa ku banojmë, ndërkohë që banesat kanë madhësi të ndryshme e metri është po i njëjti.
Pasojat e parashtrimit tonë do të ishin elementare edhe përsa i përket moshës sonë - meqenëse kohën e trajtuam si forcë - ah çfarë: ato do të ishin të natyrës elementare përsa i përket botëkuptimeve tona; më së pari, ajo që më vjen ndër mend tani: botëkuptimet fetare, në njëfarë mënyrë parashtrimi do i vërtetonte ato njëfarësoj, pasi koha do të ishte në relacion me dritën dhe errësirën, që do të nënkuptonte që në zonat e ndriçuara fort, por edhe ato ku nuk hyn drita, do të mund të flitej për përjetësi e pafundësi: të ndërmend gjë kjo? Bingo. Në banesën e tim eti ka shumë banesa, thotë Jezui, e do të kishte të drejtë.Tani le të merremi ca me vlerën e kohës në hinkën e vrimës së zezë, në fundnajën e saj. me arsyetimin e përkundërt (kush na ndoqi derimë këtu e di se vlerën e kohës kur drita lëviz në vakuum e përkufizuam të barazvlershme me 1), me arsyetimin e përkundërt pra, do i binte që vlera e kohës të ishte -1.
Në fund të fundit, kjo do të thoshte që koha do të duhej përkufizuar si forcë me dy kahje: pozitiv, në rastin e dritës, dhe negativ në rastin e masës: mund të hiqeshin fare mirë këtu paralele me rrymën e krahasimi nuk do të ishte pa vend: po flasim për një rrymë të vazhdueshme me dy kahje, si dalje në burimin e dritës dhe si marrje në vrimën e zezë.
Në këtë kuptim, në ka ndonjë gjë që lëviz, që merr e jepet në kozmos është vetëm koha.Mes këtyre dy vlerash, 1 dhe -1, ku zeroja nuk do të ishte e pranishme, do të lëvizte sistemi ynë. E kjo do të thoshte, e thjeshtëzuar, që të dy kabllot, të dy telat nuk priten, përpos në grykëderdhjet e burimet e sistemeve: vetëm në atë pikëprerje do të kishim një vlerë të papërcaktueshme, parë që do të ishte e pafundme: drejtëzat tona paralele do të priteshin në pafundësi, në infinit nga njëra anë e kah zeroja, nga ana tjetër: ky do të ishte singulariteti i vetëm në sistem, qarku i shkurtër, big bengu.
Çfarë do të ndodhte në big beng? Kush i mban mend akset më sipër në sistemin tonë, x - masë, energji, dritë dhe anasjelltas e në aksin tjetër y - koha, e gjitha kjo e vendosur në hapësirë: rezultati i big bengut do të ishte një përmasë e katërt, me kahje në varësi të shpërthimit, me gjasë tridimensionale: një sistem i ngjashëm me atë që e polli, një flluskë e re kohe që në dalje krijon dhe hapësirën ku shpërfaqet.
Natyrisht që shkruesi i këtyre radhëve është i vetëdijshëm për rrezikun që i kanoset: ai rrezikon këtu nofkën »Dino Çiçua«. (Kush e ka lexuar »Kronikë në gur« e di se ku e kemi fjalën). Po nuk ka gjë: fundja nuk po vrasim kënd në shëtitoren »Dëshmorët e Kombit«, nuk po shkaktojmë Gërdecin apo 21 janarin: thjesht po spekulojmë mbi natyrën e kohës e të dritës.Le t’i kthehemi kësaj të fundit: dritës.
Dihet paradoksi i saj, ajo që i bën teoritë e mikrokozmosit dhe të makrokozmosit të papajtueshme, pa çka se të vërtetuara.
Me ç’parashtruam më sipër, paradoksi në të vërtetë do të ishte vetë vëzhguesi. Pse e themi këtë? Pasi ky i fundit po mëton të llogarisë, të matë e të verë në raport me ç’mbetet një sistem aksiomatik me sistemet referencialet ku ai gjendet, ndërkohë që sistemi aksiomatik është i natyrës matematike. Le ta thjeshtojmë ca këtë:
Gjithkush ka bërë gjeometri në fillore e di se pika, pika si e tillë, është diçka e papërcaktueshme. Nga ana tjetër, në matematikë pikës do i përgjigjej numri 1. Edhe ky merret i dhënë, jo në raport me diçka tjetër, jo në raport me numrat e tjerë: janë ata që janë një shumëfishim i këtij.Për pikën dhe numrin 1 nuk mund të thuhet asgjë, përpos që këto janë njësitë me të cilët matet bota.
Për dritën, pika dhe numri 1, që do të duhej të merrej i dhënë, është fotoni. Fotoni do të kishte në të gjitha dimensionet e mundshme vlerën 1: kjo nuk mund të vihet në dyshim; kjo duhet të merret e dhënë, kjo as nuk do të mund të matej me një sistem referencial të mundshëm: ne nuk matim shifrat në matematikë me përmasa të tjera, bie fjala: nuk mund të thuhet që numri 1 ka valencë, pasi ne nisemi nga matematika për të shtjelluar kiminë dhe jo e kundërta. E njëjta gjë vlen për gjeometrinë dhe pikën, numri 1 i saj.
E meqenëse drita është për fizikën ato çka janë shifrat për matematikën dhe pikat për gjeometrinë, qasja ndaj saj duhej të ishte e njëjtë. Drita nuk do të mund të matej dot, përpos me veten e saj, mu ashtu si gjatësia matet me një shumëfish pikash dhe vlera e një numri çfarëdo, 10 ta zemë, nuk është gjë tjetër vetëm se një shumëfish i numrit 1.
Me arsyetimin e mësipërm, dallimi i thërrmijës (fotonit) dhe valës së dritës ndodh vetëm nga paaftësia e vëzhguesit për ta matur atë: në këtë kuptim vala nuk është gjë tjetër veçse një bashkësi pikash në relacion me njëra-tjetrën, me vlerë 1, është një bashkësi matematikore shifrash me vlerë 1.
Kush na ka ndjekur derimë këtu do të ketë vënë re se spekulimi ynë më i madh ka qenë (Dino Çiçua…ai me natyrën e kohës dhe të lëvizjes: spekulimi ynë qysh në krye ka ndodhur me përkufizimin e kohës si të tillë, ashtu siç jepet ai në fizikë, në varësi të shpejtësisë. Nëse në fizikën e zakonshme (po e lemë për një çast mënjanë hapësirëkohën e Ajnshtajnit), nëse në fizikë koha përkufizohet në varësi të shpejtësisë, ne po bëjmë të kundërtën: ne po përkufizojmë shpejtësinë në varësi të kohës: fundja ne po pohojmë diçka të padëgjuar: që është koha vetë ajo që lëviz e jo që lëvizja ndodh në të, në kohë.
Për ta përfytyruar më mirë këtë më sipër le të marrim një fletë të bardhë letre e të heqim në të dy akse të rëndomta në një sistem ortogonal: njëri aks është ai i dritës e tjetri i kohës. Vlera e pikëprerjes së tyre në dydimensionalitet mund të jetë veç 1. Por vetëm në dydimensionalitet e pse kjo qenkësh kështu e në mënyrë që të kemi dimensionin e tretë të hapësirës, le të marrim tani një fletë tjetër të bardhë e të shënojmë në të po dy akse: në njërin të shënojmë në vend të dritës masën e në tjetrin përsëri kohën.Le t’i vemë fletët mbi njëra-tjetrën, si dy rrafshe paralele me largësi 1, ku 1 është njësia matematikore, pika gjeometrike, që kemi zgjedhur, njësia e energjisë në këtë rast, dimensioni i saj, filli që lidh dy kohët e ndryshme, asaj të dritës e asaj të masës. A po më ndjek dot?…
Dy rrafshet, që kanë të përbashkët kohën, dritën e masën, i lidh në aksin e tretë që krijuam energjia, ato marrin e japin me tjetrin energji.
Çfarë po duam të pohojmë me këtë? Në mënyrë të reduktuar, të thjeshtuar, po duam të pohojmë që: Drita është forma më e kulluar e kohës dhe masa forma më e kulluar e hapësirës. Pa çka se koha dhe hapësira janë praktikisht të pandashme, në një model të thjeshtëzuar do të kishim kohën nga njëra anë, të manifestuar në formën e saj më të kulluar, dritën, dhe, në anën tjetër, hapësirën, të manifestuar si masë, e këto dy sisteme janë dy pole të së njëjtës gjë: ato i komunikojnë energji njëri tjetrit.
Nëse masa e kulluar do të kishte vlerën -1, drita e kulluar do të kishte vlerën 1: ky polaritet shkakton lëvizje e kjo lëvizje nuk ndodh në kohë, ajo që lëviz është koha vetë, është hapësira vetë, kohëhapësira tkurret e fryhet në vetvete: ajo është një sistem i mbyllur.
Ndonëse fizikanët do na kryqëzonin për ç’pohuam më sipër, përfytyrimi ynë për kohën dhe hapësirën është më i natyrshmi e më i zakonshmi, më i rëndomti i mundshëm. Dhe aspak blasfemik: fundja në formulën e përbotshme E= mc2, do të kishim të ngërthyer në një hapësirën (masën) dhe kohën (dritën) në format e tyre më të pastra. Energjia do i binte të ishte dialogu i tyre me njëra tjetrën. Objektet, si qiellorë, ashtu edhe grimcat, do të ishin në relacionin e një komunikimi të njërës me tjetrën, fjalët që çojnë e marrin.
Në këtë kuptim, hapësira duhej përfytyruar si bashkësi shifrash me vlerë -1 e koha si bashkësia e përkundërt, binjake, me vlerë 1. Në qenkësh koha apo hapësira negative a pozitive, edhe kjo nuk është se ngre peshë, përpos që koha duhej asociuar me dritën, ndërsa hapësira me errësirën, koha me daljen në dritë të rrjedhës (energjisë) dhe hapësira me vrimat thithëse të saj.
Me një fjalë, për kohën dhe hapësirën nuk do të mund të flitej fare, përpos me gjuhën abstrakte të matematikës. Nëse hapësira do të ishte një grumbullim me dendësi të ndryshme -1-shash, koha do të ishte një rrjedhë 1-shash. Në këtë kuptim, mund të mbyllej qysh tani Cern-i e të mos lodheshin kot, pasi thërrmija elementare nuk do të mund të gjendej dot: ajo është thjesht një shifër e jo gjësend.
Një krahasim me botën tonë (si thonin hermetikët?: Si lart, ashtu edhe poshtë), një krahasim me botën tonë, ku ujët do të ishte koha e hapësira dheu, do të na ndihte për ta ilustruar më mirë këtë që shkruam: a nuk rrjedh ujët si shi, për të marrë forma nga më të ndryshmet deri në oqean e prapë nga e para? E meqë ne jemi në tre të katërtat prej uji, ne do të ishim në tre të katërtat tona prej kohe e rrjedhim për diku.
Dhe ashtu është…2.
Në pjesën e parë të trajtesës sonë u morëm me fizikën. Në këtë të dytën po i kthehemi filozofisë, meqë nuk i duhet kujt fizika pa këtë e nuk mund të ketë filozofi të njëmendtë pa fizikën. Ndoshta mund të dalim nga fundi në etikë, pasi filozofia pa etikën vetëm dreqit mund t’i hyjë në punë.
Na e do mendja që pakkush do tä na ketë ndjekur seriozisht deri këtu në përsiatjen tonë.
Ndaj po e përmbledhim shkurt: pohuam se masa në një vrimë të zezë është forma më e kulluar e hapësirës dhe drita në vakuum forma më e kulluar e kohës. Koha e hapësira gjenden në një dialog të vazhdueshëm energjitik e ky dialog mund të përshkruhet vetëm nga matematika (nga informacioni pra).
Ku do të ishte vendi i njeriut këtu? Prej tani e tutje kemi frikë se do të mund të na ndjekin edhe më pak lexues se derimë tani, pasi do të merret e vetëkuptueshme që lexuesi të sjellë me vete një minimum njohurish të filozofisë e zhvillimeve të saj: parë që nuk duam e nuk do të mundeshim ta shpiknim rrotën nga e para.
Qenia ( njerëzore), nisur nga sa kemi parashtruar në pjesën e parë të kësaj trajtese, në dialogun e kohës me hapësirën, nuk është diçka e parrokshme dot nga mendja: ajo thjesht do të ishte një manifestim i këtij dialogu, logos-i i të dyjave.
Ajo çka pohuam në pjesën e parë për natyrën aksiomatike të dritës dhe masës do të kishte vlerë edhe për qenien (njerëzore) si të tillë, pasi kjo nuk mund të gjendet jashtë kohës dhe hapësirës: përkundrazi: ajo është logu ku zhvillohet ky dialog, parë që kjo trajtesë po shkruhet nga dikush e jo vetë apo nga shpirti i shenjtë.
Kjo do të ishte (mes të tjerash) energjia e çliruar nga ky dualizëm, i masës (hapësira) dhe dritës ( kohës): në fund të fundit qenia e çdokujt do i binte të ndodhej në një nga kahjet që përshkruam në pjesën e parë: ajo gjendet ose në kahun negativ të këtij shkëmbimi, kah masa, vrima e zezë, ose në atë pozitiv, kah drita, koha.
Po pse nuk mund ta gjejmë dot atë, ta matim e ta peshojmë, pse nuk mund të përkufizohet shpirti si i tillë? Sepse ajo është sistem aksiomatik, ndërsa sistemet tona do të ishin referenciale: shkurt, qenia është prej kohe, ajo lëviz ose si dritë, ose si masë - por në praktikë si të dyja.Nëse e shohim këtë në shembullin e njeriut, ky do i binte, sipas arsyetimit tonë, të ishte një konstelacion i hapësirës me kohën, i trupit me shpirtin, por këtu nuk po themi asgjë të padëgjuar. Të vjetrit e nuhasnin këtë edhe pa Ajnshtajnin a Plankun; gjuha, logosi ynë, e përmban këtë përfytyrim jo rastësisht: ajo vetë është fryt i tij, pasi nuk mund të ndodhte jashtë tij. Në këtë kuptim, njeriu mund të përfytyrohej si pemë me fryte gjuhe e koha do të ishin lëngjet (drita) që lëviz nëpër të: edhe ky një përfytyrim mëse i rëndomtë.
Qenia nuk ka se si të prehet: ajo gjendet vetiu në rrjedhën e kohës, vetë lindja e pëmban energjinë fillestare në vetvete, si edhe informacionet e një shkaku të mëparshëm. Ajo është një shkakpasojë në lëvizje me kah të ndryshëm: e kujt nuk i vjen ndërmend koncepti i karmës këtu?
Nuk mund të ketë qenie të pastër: ajo është një harlisje e kohës me hapësirën, e masës me dritën, qenia nuk është as kohë e as hapësirë: ajo është të dyja, është ndërveprim i tyre: edhe kjo diçka e ditur.Nëse mund të përkufizohej qenia, pa çka se gabim, me atë që mbetet prej nesh pasi vdesim, apo para se të lindim, ajo do të ishte kujtesë e informacion, që është fundja e njëjta gjë, e ky duhet të mbahej gjëkundi, në diçka të ngjashme me atë ku regjistrojmë të dhënat. Në këtë kuptim, pas vdekjes qenia nuk mund të ekzistojë jashtë kohës dhe hapësirës përpos si energji në një tjetër kombinim të tyre, në një rrjedhë të po kësaj bote, ku ndryshimin e bën vetëm kahu.
Në këtë kuptim, shpirtrat tanë, që mund të përkufizoheshin përafërsisht si energji (themi përafërsisht: pasi edhe energjia nuk ka kuptim pa hapësirë e kohë) vetëm lëvizin e ndryshimi i vetëm mes tyre është në lëvizin kah errësira apo kah drita.
Po bëjmë gjë propagandë fetare këtu?…Jo, aspak.
Për të sqaruar edhe një herë atë që po duam të themi e që është në të vërtetë një përsiatje mbi natyrën e kohës, le të marrim një shembull shumë të njohur nga filozofia antike greke: atë të paradoksit të Zenonit: Akilin dhe breshkën, që ngërthen në të vërtetë paradoksinë e kohës dhe lëvizjes. Ne pohojmë që lëvizja është vetë koha, që lëvizja e Akilit nuk ndodh në kohë e që hapi i vockël i breshkës nuk ka se si të ndodhë ndërkohë, pasi hapi i saj është koha vetë: ne po pohojmë që hapi i madh i Akilit është edhe koha e tij më e madhe, më e shpejtë se ajo e breshkës e që ai e kap breshkën kësisoj që çke me atë punë. Paradoksi i shigjetës po aty nuk do të ishte as i tillë, nisur nga i njëjti arsyetim.
Parë hollë, koncepti ynë për kohën dhe masa për ta matur është po ashtu vetëm lëvizje: ajo e stinëve, e rrotullimit të Tokës rreth Diellit. Nuk do të kishte kuptim të flisnim pra për lëvizje në kohë të Tokës rreth Diellit; vetë lëvizja është koha e kjo është afërmendsh: orët tona na vërtetojnë përditë të njëjtën gjë: lëvizja e akrepave është koha vetë në këtë kuptim.Le ta vendosim njeriun pra në një sistem siç bëmë më sipër, te pjesa e fizikës, në relacion me kohën, dritën dhe masën.
Do të kishim në fletën e parë të bardhë aksin e kohës e aty ku shënuam (për fizikën) dritën, le të shënojmë tani ndërgjegjen (vetëdijen, etj.)
Në fletën e dytë të bardhë sërish aksin e kohës e në vend të masës trupin.Fletët, rrafshet do i lidhim sërish me një njësi energjie dhe, ashtu si ç’bëmë në shembullin e parë për fizikën, le ta përfytyrojmë kanalin energjitik që lidh këto dy rrafshe si një rrymë me dy kahe. Nga njëra anë, rrafshi i kohë-vetëdijes i dërgon energji (fjalë) trupit, porse edhe rrafshi i dytë të parit.
Se cili nga të këta sisteme është parësor këtu, në është trupi i varur nga ndërgjegja, apo kjo e varur nga trupi - dilema pra e vjetër mes materializmit e idealizmit - nuk do të kishte pse të shtrohej, pasi të dy sistemet janë të barazvlershëm, pa çka se me polaritet të ndryshëm e kahu që do të vendosnim, në qenkësh rrafshi i trupit negativ, apo ai i vetëdijes, do të ishte iluzor.
Rrafshi i parë, ai i kohës dhe vetëdijes do të ishte në këtë sistem metafizik, dhe i dyti, ai i kohës dhe i trupit, siç e thotë edhe vetë fjala, rrafshi fizik.
Nuk duhet lënë mënjanë këtu edhe "vëzhguesi": në rrafshin e parë ai është i ngërthyer; në të dytin, atë fizik, ai është "jashtë", ai e vëzhgon veten nga jashtë.
Se me cilin rrafsh identifikohet ai, njeriu vetë pra, i ngërthyer kështu në një pikëprerje të metafizikës dhe fizikës, pikërisht këtu konsiston, qëndron liria, vullneti i tij i përzgjedhjes, e kjo liri në këtë rast, me qenë se është e pavërtetueshme, e pandikuar dhe parësore (me vlerë -1 a 1), me qenë se cilësimi i saj (i përzgjedhjes së ngarkesës negative apo pozitive të baterisë që është) është në dorën e këtij të fundit, është në fund të fundit e natyrës aksiomatike, është paradigmë besimi e jo dijeje.Le të kuturisemi të japim tani një përkufizim për qenien, premisa e të cilit do të ishte ekzistenca e saj, që ajo »është«.
Në modelin tonë (kozmogonik) qenia do të ishte, ashtu si ç'paraqitet në ngërthimin e Jin-it me Jang-un, apo në mandalat budiste, si edhe thuajse në të gjitha mitologjitë e kësaj bote e besimet fetare, ajo nuk do të ishte as njëra e as tjetra, ajo do të ishte thjesht gjithçka: nëse hapësira dhe koha do të mund të përshkruheshin, pasi do të kishin një cilësi matematiko-gjeometrike, për qenien nuk mund të thuhej asgjë, pasi ajo do të rrokte si pafundësinë, ashtu edhe hiçin në vetvete; për të mund të thuhej gjithçka e nuk mund të thuhej asgjë.
Është në natyrën e kësaj trajtese të pohojë për shembull që pafundësia (infiniti) rri në raport jo të pamundur me zeron (si ç'merret e dhënë në matematikë), porse çdo raport i tyre kulmon në numrin 1 dhe -1. Fillesa, që në paradigmën tonë është një binjakëzim i këtyre vlerave, do të ishte kështu një relacion i tillë: qenia dhe mosqenia që kulmojnë në një.
Në modelin tonë për njeriun, që është një shëmbëllim i qenies kozmogonike, çështja do të ishte më e thjeshtë: qenia e tij do të përfshinte si kohë-ndërgjegjen, ashtu edhe kohë-trupin dhe ndërveprimin e njërës me tjetrën: ajo do të mund të jepej si simbol me një trekëndësh, bie fjala, ose një trinom, gjithnjë duke mbajtur parasysh se simbolika është vetëm një rrekje për të shënuar diçka që ndodh "përpara" saj; në këtë kuptim simbolika do i rrinte qenies njerëzore ashtu siç i rri gjuha kësaj, si një kostum i prerë keq.
Po t'i kthehemi sërish tani modelit tonë me dy rrafshet, në njërin kohë-ndërgjegja e në tjetrin kohë-trupi, do të ishte më interesante për këtë trajtesë të shqyrtonim më nga afër rrafshin e parëpërmendur, meqë ai është i natyrës metafizike, ndërkohë që për trupin e njeriut është kujdesur shkenca, dhe ngaqë filozofia, fusha të cilën po lëvrojmë, pas gjase gjendet më së shumti në të parin (kohë-ndërgjegje), ndonëse shumë filozofë materialistë do e gjenin veten më të përfaqësuar në të dytin.
Mirëpo, siç e shënuam më sipër, liria për të vendosur parësitë është e shkruesit, e ndaj po e përdorim atë për të pohuar (arbitrarisht) që në trajtesën tonë kahu që kemi zgjedhur është kah drita e jo kah errësira, kemi vendosur pra të lëvizim kah qielli e jo kah dheu, pa çka se nuk mund ta argumentonim zgjedhjen tonë, meqë paradigma e lëvizjes si e tillë, shkruam, është për nga vetë natyra e saj, aksiomatike, është paradigmë besimi.
Meqë në të dy rrafshet tona kemi diçka të përbashkët (porse jo me vlerë të njëjtë): kohën, më e udhës do të ishte këtu një metaforë tjetër: ajo e resë mbi një pellg, ku reja do të ishte rrafshi i kohë-ndërgjegjes dhe pellgu ai i ai kohë-trupit; pasqyrimi i saj në të të ndërmend vetiu Narcisin: një arsye për ta gjetur veten në qiell pra e jo këtu, në pellg, do të ishte besimi se vetja jonë e vërtetë ndodhet atyre anëve, ndërsa kjo e trupit është veç pasqyrimi i saj. Sidoqoftë, kjo është veç një metaforë e jo argument e ndaj po i lutemi lexuesit ta përfillë vetëm si të tillë.
(vijon...)
Postime: 1
Pjesëmarrësit: 1