@ars shkruajti:
Grimca nga Arb Elo
Fugu
E morëm vesh me vonesë, se do i kishim ndenjur pranë. E paskëshin mashtruar ca tipa, ca bjerrakohës ordinerë, i paskëshin thënë se gjoja gjërat nuk janë ashtu si i kujtonte.
Engjëll më quajnë - i ishte prezantuar një nga ata pijanecët e Korçës, që e rrëkëllejnë konjakun në këmbë qysh pa gdhirë, kur bënte stazhin në jug dhe kishte marrë diçka për të ngrënë në një nga ato gjellëtoret e lira, një si meze ku i kishin përzier edhe pak mëlçi fugu, nga ai peshku i shtrenjtë, me të cilin japonezët bëjnë sushi e që sapo kishte nisur t’i bënte efektin - Engjëll më quajnë dhe jam gjyshi yt, nga babai, dhe ti nuk quhesh ashtu siç kujton e të quajnë, nuk të quajnë Prengë, por Llambi. Duke qenë se pikërisht e vërteta është iluzioni, brumi me të cilin punon çështja jonë - kishte vazhduar ai - është tepër e vështirë të mundet të gjendet fillestarja, gjeneza. Ndaj ndiehem këtu i detyruar pohoj rezervat, që më shkakton përftimi subjektiv, ai idealisto-kriptik, ai i manipuluari i vërtetësisë, ai i shtresave të pasqaruara. Gjithashtu, po marr përsipër menjëherë edhe fajin në thonjëza - se të kam bërë nder në të vërtetë - të vënies në skenë të vdekjes së babait tënd, Gjekës, i cili jo vetëm që është gjallë, por nuk është as yti. E sheh atë burrin me kasketë aty, atë me mustaqe spic? Ja ai është yt atë, ai biologjiku, po mos i flit, se është një kërmë, një i korruptuar, që çoç i duket vetja. Është në traditën e linjës sonë, që të përzgjedhurve t‘u tregohet në një moshë të caktuar, kur janë pjekur kushtet e kur e kërkojnë vetë, diç më shumë nga e vërteta. Edhe unë jam sqaruar - këtu ai kish një pauzë kuptimplote, kishte rrudhur sytë e kishte buzëqeshur pak me mirëkuptim - nga xhaxhai, i ndjeri Vangjel, i cili ishte i butë për nga karakteri e prirej më shumë për nga humori. M'u shfaq, pasi e patëm varrosur tri ditë më parë, në pyllishten e qytezës, dhe habisë a tmerrit që duhej të jetë ndier në zërin tim hapur, se mos qenkësh ai Jezu Krishti, iu përgjigj me një batutë fetare e kjo ma hoqi si me dorë ankthin menjëherë. E di si ma ktheu? »Po të isha unë Jezui o Miti - se ashtu quhesha më parë - i bie që ti të ishe jot ëmë!« U gajasëm pastaj sëbashku. Ai e bëri sqarimin më së miri, qetë e pa shumë emocione, e më tregoi se janë të tërë militantë të çështjes, këta që na rrethojnë. Ja, shih këtë Janin, që hiqet si grek për shembull, nuk është veçse një jevg nga Durrësi, që as greqishten nuk e zotëron mirë.
Dhe i kishin nxjerrë Gjekën pastaj, babanë që e kujtonte të vdekur, kur syve nuk u kish mbetur më të bardhë nga fugu, dhe Gjeka e kishte marrë në qafë, kur po i binte të fikët. Furgoni priste aty gati, para lokalit, e kishin hedhur në karroceri e i kishin futur një gjilpërë, tani për ta stabilizuar ca efektin e fugut, që të paralizon ca ditë e nuk bën dot asgjë, i cili të fshin kujtesën, porse jo të tërën: vetëm atë identitare.
I gjori. Ishte rritur në rrethinat e kryeqytetit, ku kishin zbritur prindërit, në kohë të Berishës, pasi u hoq pasaportizimi. Shtëpitë fillimisht i kishin mbuluar me qese, pastaj u vunë katrama e më vonë, pas njëzet e ca vjetësh, kush bëri para, ca i shtruan me tjegulla. Gjeka nuk bëri dot para, ndaj tavanin e kishin prej katramaje, që qullej në vapë, zbutej në zheg dhe kullonte pastaj mureve. I kujtohej, ndërsa fugu i bënte efektin, kur kotej ndanë dritares, se si binin papritur llokmat e ziftit, me një tingull të mbytur e pëlcitës njëherësh, e ai i shihte: anës murit ish një si vazhdë e zezë me to, ca si hije, që ngjanin sikur i kanoseshin, pastaj vinte i ati nga hamallëku. E shihte që aty dhe i dilte përpara e bënte t’i hidhej në qafë Gjekës, më tepër nga droja që i shkaktonin hijet, por ky shkonte e ulej drejt e në tryezë, ndërsa e ëma thante duart me përparëse dhe uleshin të hanin, vetë i shtatë. Ky ishte edhe çasti kur ndiehej më së shumti i mirëqenë. Besimi në të mirën e lumturinë robit i jepet në të tilla përjetime e pikërisht ky besim i sinqertë, goxha naiv, duhet thënë, e bëri të përfundonte ashtu, kur për Gjekën u shtrua mëdyshja ekzistenciale: o t’ua shiste atë mafias së ndërtuesve, o vajzat për prostituta jashtë. Këta e bënë së pari deputet për një parti të koalicionit, në opozitë, e çuan gjoja për ca kohë në jug, për të mbledhur vota, e aty i nxorën pastaj këtë tipin, që as Engjëll nuk e kishte emrin. Punojnë tebdil këta, të tërë.
E bënë synet kur i doli fugu, e futën në një si konvikt te Qyteti Studenti, në një dhomë të vogël me gjashtë të tjerë si ai, e qysh atëherë përzien betonierat e shoqatës. Ngrihet që pa gdhirë, nuk flet me njeri, falet të parën herë, u japin të hanë një tas kornfleks, me kalori e vitamina, ca red bulla e i merr një autobus i mbyllur pastaj e i çon në pikat ku ndërtohen shumëkatëshat. Nuk ka qenë njeri negativ jo e do i kishim ndenjur pranë, po ja që e morëm vesh me vonesë. I shkuam një herë, ne të maturës, por as nuk na njohu e as nuk foli fare.Me t’u errur
Porositëm në internet dy kostume të zinj, për ta bërë edhe ca më serioze pamjen, u hodhëm këmishave të mbërthyera në grykë kravata me karfica, ndërsa thileve të xhaketave stema kromi, që shndrisnin ca, por jo shumë. Fundjavave i prisnim biletat triditore, merrnim trenin dhe ndalonim pastaj nuk e dinim as vetë se ku, në stacionin e parë të ndonjë qyteze që nuk na vinte e njohur. Pinim fillimisht dy-tri kafe në qendër dhe, me t’u errur, i hipnim autobusit dhe zbrisnim rrethinave. Trokisnim atje nëpër shtëpi dhe pallate, u binim të gjitha zileve, dhe varësisht nga ata që na i hapnin dyert dhe dëshira e tyre për të komunikuar, i bënim reklamën, për të cilën paguheshim, vëllimit të fundit lirik të kryepartiakut.
Drejtvizore
E shihja të zbriste shkallët përditë i lumtur si biftek medium, me kokë të përskuqur nga ndarja me të shoqen, që nuk harronte ta përcillte deri te dera e ta porosiste tek i jepte kashtën, bukën me vete, të mbështjellë me gazetën Panorama, »… dhe mos harro ta hash vetë të tërën; asgjë qenve e mos ua hidh më thërrimet pëllumbave!«
Dhe ashtu bënte pastaj, por këtë e kisha me të dëgjuar, derisa vdiq e iu transmetuan xhirimet; boh, ç’jetë drejtvizore: një fetë me gjalpë e reçel në mëngjes, shtatë kafe, një paketë rresht, pak punë; në pushim të drekës një muhabet të distancuar me kolegun, pasdreke pak gjumë, darkave lajmet, pastaj i duhej të milte gruan, që pëlliste në kuzhinë: »Eja Goni tani, se më dhembin sisat nga qumështi!«
Postime: 1
Pjesëmarrësit: 1