Quantcast
Channel: Peshku pa ujë - Temat e fundit
Viewing all articles
Browse latest Browse all 3202

Mirela para togës së pushkatimit

$
0
0

@bsalaj shkruajti:

E gjej trishtuese, edhe pse, njëherësh, mjaftueshëm qesharake mënyrën sesi është reaguar ndaj vajzës me emrin Mirela Ruko, pas aktit të saj dhe Lëvizjes për Universitetin, ku në shenjë proteste i derdhi Ministres së Arsimit , zonjës Nikolla, një shishe salcë domateje në kokë. Vetëm numri i opinionve që rreken bujshëm e përvuajshëm t'i bëjnë atentat karakterit të Mirelës, e që pluskojnë sonte në atë që kryeministri tani e quan kazan mediatik, tregon sa shumë është prekur sedra qeveritare nga ky gjest. Duket sikur qeverisë i mungon hiri për të reaguar me fisnikëri ndaj një momenti delikat, në vend të elegancës, ka ngurtësim, zemërim dhe hakmarrje.

Opinionistët e shqetësuar nga Mirela kanë folur për organizatën studentore me nëntekste që do t'i përdornim ndërsa flisnim për një grupim terrorist, duke mbjellë fara të një fashizmi mediatik (si fillim) thurur me një angazhim të paprecedent të shtetit ndaj një individi. Të gjithë kundër 20 vjeçares. Sa e pahijshme! Disa vjet më parë, i ndjeri Lirak Bejko protestoi duke u vetëdjegur me benzinë në mes të Tiranës, dhe nuk pati kaq reagim sa ndaj salcës së domates. Hipokrite si tablo, por askush nuk mund ta mohojë se protesta është mjet demokratik. Ajo që nuk është demokratike është mbyllja e gojës, shantazhi, diskriminimi e diskretitimi, dhunimi i privacisë dhe argumentat boshe që ngrejnë ndaj saj. E sulmojnë nga pamja, nga varfëria, nga origjina si BULLIES. E pikturojnë si një përbindësh me brirë dhe bisht. Dhe njerëzia që vështron, vetëm sa pështiroset më shumë.

Më fyeset ndër sulmet janë ato që vijnë nga burokratët e shtetit, që kanë lënë punët për të cilat paguhen për të shkruar e botuar hartime të vajmedetshme të cilat sulmojnë një vajzë të re. Bashkëpuntorët e kryministrit i kanë shpërndarë rrjeteve sociale këto shkrime ku Mirelën e kanë akuzuar për katundare, për zhulëse, për mendjelehtë, vandale të dhunshme, në një valë misogjinie dhe urrejtjeje të bërë "share" më së shumti shi nga zyrat e shtetit. Protesta e Mirelës i ka angazhuar sikur të ishin aparatçikët brohoritës të Kim Jong Unit. Vras mendjen se si do t'i etiketonte Kryeministri Rama këta - siç ka qejf të etiketojë njerëzit me të cilët nuk i puthen mendimet. Sharlatanë është rezervuar për shoqërinë civile. Çingije është përdorur qysh në kohën e Berishës...

Ajo që nuk kuptojnë këta ronxhobonxho të zellshëm është se duke sharë e tallur Mirelën shajnë e tallin mijëra vajza të tjera që identifikohen lehtësisht me të. Duke e sulmuar atë dhe shoqet e saj, vetëm sa thellojnë ndarjen midis tyre si kastë politiko-mediatike me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Si një togë pushkatimi, gjuajnë të gjithë në unison, e nga pas dëgjohet edhe ndonjë krismë vetmitare nga servilizmi i theksuar. Ata nuk kuptojnë se duke reaguar me këtë egërsi vetëm sa i shtojnë tensionet të cilat po vijnë duke u akumuluar në shoqërinë shqiptare. Gjesti, nuk ishte fort i hijshëm, por nuk dëmtoi fizikisht askënd, ndërsa bëri të gjithë të flasin për çështjen; Reformën në Arsim.

Lëvizja për universitetin ka paralajmëruar se incidente të tilla përsëriten e amplifikohen në të ardhmen. Ka edhe më shumë gjasa që kjo të ndodhë tani që reagimi i palës qeveritare rezultoi diçka më lehtësisht e përkufizueshme si një shtrëngim dhëmbësh me hungërimë kërcënuese. Disa me të drejtë i druhen këtij radikalizimi social, por nëse do mendonim se kemi mbërritur këtu për faj të Mirelave, do gënjenim veten. Shqipëria është prej vitesh totalisht e kontrolluar nga influencat e parasë dhe të të pasureve, sidomos të atyre që pasurinë e kanë vënë me zotësi të diskutueshme. Protesta është një pasojë, shkaqet, janë punë të tjetërkujt.

Kësisoj pra, shërbëtorët publikë kanë nisur të shajnë. Lëvizja studentore etiketohet ekstremiste, dhe qëllohet me artikuj gazetash, emisione televizive e statuse, si plumba mediatikë mbi personalitetin e gjithkujt që guxon të guxojë. Sulmi bëhet mbi Mirelën por ai synon të eliminojë studentët si grupim shoqëror. Nuk shkakton shqetësim Mirela, aq sa mungesa e kontrollit mbi grupin studenor. Modeli i rinisë që propozojnë zonjat e zotërinjtë e revoltuar nga revolta është ai i forumeve rinore politike, ku të rinjtë kam parë të tjetërsohen, kolektivizohen, përdoren për aktivitetet e partisë - dhe në fund shpërblehen me punë që s'i bëjnë dot. Siç do të thoshte Adriano: La situazione non è buona - dhe për këtë nuk e kanë fajin studentët.

Në foto: RUN Street Artist.

Postime: 59

Pjesëmarrësit: 23

Lexo temën e plotë


Viewing all articles
Browse latest Browse all 3202